Vesti Instruktorë vendas mbajtën trajnim për operacionet e shkrirjes së aeroplanëve nga akulli e dëbora në ANP


05/11/2020

Gjatë kësaj jave në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” u mbajt trajnimi për operacionet e shkrirjes së aeroplanëve nga akulli e dëbora, për operatorët e pajimeve si dhe personelin mbikqyrës për këto operacione në aeroport të cilat janë ndër shërbimet më të ndieshme dhe më të rëndësishme gjatë sezonës dimërore. Atë çka e bën të veçantë këtë ngjarje është se për herë të parë në historinë e aviacionit në Kosovë ky trajnim u organizua dhe u realizua nga personeli profesional vendas i aeroportit.

I tërë procesi përgatitor, procesi i mësimdhënies si dhe testimit të kompetencës ka qenë subjekt i vlerësimit, aprovimit, dhe monitorimit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës në përputhje me Rregulloren nr. 01/2014 mbi aftësimin profesional të punonjësve të aerodromit dhe punonjësve tjerë të kontraktuar, ofruesve të shërbimeve në tokë dhe përdoruesve të shërbimeve të aerodromit të cilët vet kryejnë shërbime në tokë. Ndërsa programi trajnues për këtë fushë është bërë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë të aplikueshme në botë dhe tek ne “SAE Standards”. “SAE International”, e njohur si “Shoqata e Inxhinierisë Automotive”, është një shoqatë profesionale me bazë në Sh.B.A, organizatë me aktivitet global për zhvillimin e standardeve insdustriale për profesionistë të inxhinierisë në industri të ndryshme. “Programi i Zhvillimit të Standardeve Teknike SAE” tashmë gati një shekull është në mesin e dispozitave kryesore në industrinë automotive në fushat që lidhen me hapësirën ajrore, automobilizëm, si dhe automjeteve komerciale në përgjithësi.

Gjatë procesit të vlerësimit, inspektorët e AACK vlerësuan lartë kompetencën dhe efikasitetin në mësimdhënie për instruktorin e këtij programi trajnues si njëri ndër ekspertët e paktë edhe në rajon të kësaj fushe shumë të rëndësishme për sigurinë e mjeteve ajrore që frekuentojnë aeroportin tonë ndërkombëtar.

AACK përkrahë dhe inkurajon gjithnjë operatorët dhe profesionistët e fushës së aviacionit për ofrimin trajnimeve profesionale në dobi të ngritjes profesionale të të gjithë personelit të aviacionit në Kosovë.