Vesti Parafohet marrëveshja e transportit ajror midis Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe


24/09/2012

Delegacionet e Qeverive të Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe u takuan në Prishtinë, më 17 shtator 2012, me qëllim të negocimit të një marrëveshjeje bilaterale të transportit ajror. Delegacionet u kryesuan nga Drejtorët e Përgjithshëm të Aviacionit Civil, z. Dritan Gjonbalaj dhe z. Saif Mohammed Al Suwaidi.

negociatat rks-eba_4221

Diskutimet u zhvilluan në atmosferë miqësore dhe u përmbyllën me arritjen e pajtimit të dyanshëm për tekstin e marrëveshjes, e cila u parafua nga kryesuesit e delegacioneve të Qeverive të të dy vendeve. Marrëveshja e parafuar pritet të nënshkruhet nga Ministrat përkatës në një moment të përshtatshëm protokollar.

Gjatë takimit të sotëm u nënshkrua edhe një Memorandum Mirëkuptimi, përmes të cilit palët marrin përsipër ta implementojnë përkohësisht teksin e dakorduar të marrëveshjes, deri në kompletimin e kërkesave të brendshme ligjore të të dy shteteve për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjes.

Përmes kësaj marrëveshjeje krijohet baza ligjore për fillimin e fluturimeve të drejtpërdrejta midis Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe aeroporteve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Marrëveshja është e frymës liberale, pa asnjë kufizim në numrin e fluturimeve, numrin e kompanive ajrore apo kapacitetin që do ta ofrojnë.

Autoritetet e aviacionit civil të të dy vendeve gjithashtu u pajtuan të fillojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e mbikëqyrjes së sigurisë së aviacionit civil.

Para fillimit të negociatave, delegacioni i EBA-së u prit nga Ministri Mujota, i cili, përveç tjerash, tha se lidhja e Marrëveshjes së Transportit Ajror midis Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, jo vetëm që do të krijojë bazë ligjore për zvogëlimin e largësisë midis dy vendeve tona, por gjithashtu do të hapë perspektiva të reja për thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer në të gjitha fushat. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për afrimin e popujve tanë dhe rritjen e nivelit të shkëmbimeve tregtare.