Vesti Arianit Islami emërohet zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së


29/08/2023

Ministri i MMPHI z. Liburn Aliu ka emëruar dje më 28 gusht 2023 z. Arianit Islami zëvendësues të Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së.

Arianit Islami është një profesionist me përvojë të gjerë mbi 20 vjeçare në aviacion, të përcjellë me përgatitje të shquar akademike. Prej vitit 1999 ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme si zyrtar i lartë në sektorin e aviacionit civil, fillimisht në pozita të ndryshme në industri, e pastaj në anën e rregullatorit ku ka mbajtur së fundi pozitën e Drejtorit të Departamentit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror në AAC.

Si ekspert i lëmisë, nga viti 2009 është angazhuar si ligjërues i lëndës “Sistemet e Menaxhimit të Sigurisë (SMS)”, fillimisht në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Kolegjin e Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, pastaj edhe si ligjërues në programin “Advanced Master Safety Management in Aviation” të organizuar nga Universiteti i Aviacionit Civil të Francës (ENAC). Z. Islami është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Aviacionit Civil të Francës (ENAC) në Degën e komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit të bazuar në satelit. Aktualisht është kandidat për doktoraturë në Laboratorin e ENAC dhe Universitetin Paul Sabatier në Tulluz, Francë. Z. Islami, gjithashtu ka ndjekur një varg trajnimesh profesionale ne aviacion.

Z. Islami shpreh gatishmërinë për të rimëkëmbur reputacionin profesional dhe përmirësimin e raporteve ndërinstitucionale të AAC-së.