Vesti AAC-ja publikon raportin për gjendjen e fushave ajrore në Republikën e Kosovës


11/02/2015

Normalizimi  i  plotë i  hapësirës  së  ulët ajrore  të  Kosovës, që pritet të ndodhë së shpejti, do të ketë efekt direkt në rritjen e shfrytëzuesve të  aviacionit  të  përgjithshëm, dhe AAC-ja pret të ketë shtim të  aplikuesve  që  synojnë  të përdorin fushat ajrore në Republikën e Kosovës  për  shërbime të aviacionit të përgjithshëm.

Me qëllim të promovimit dhe stimulimit të zhvillimit të aviacionit të përgjithshëm në Republikën e Kosovës dhe me qëllim të ofrimit të informatave fillestare  për  aplikuesit eventualë për  shfrytëzim  të fushave ajrore, AAC-ja ka bërë analizën e gjendjes ekzistuese të  të  gjitha  fushave  ajrore  në vend, si një kategori e veçantë e aerodromeve.

Përgatitja e këtij  dokumenti është bërë duke analizuar gjendjen fizike dhe karakteristikat tjera të të gjitha fushave që janë  identifikuar në territorin e Republikës së Kosovës nga inspektorët e AAC-së. Inspektorët e AAC-së, pjesëmarrës në përgatitjen e këtij dokumenti, kanë vizituar secilën nga këto fusha dhe me atë rast kanë  bërë  një  vlerësim  preliminar të gjendjes fizike dhe të  infrastrukturës  së  fushave ajrore.

Në territorin e Republikës së Kosovës janë 12 fusha ajrore, të ndërtuara kryesisht ndërmjet viteve 1970 dhe 1987. Bazuar në vlerësimet e bëra gjatë vizitave si dhe informatave të mbledhura rreth fushave ajrore ekzistuese, mund të konkludohet se në shumicën e fushave  ajrore vërehen dëmtime serioze  të  pistave, disa prej tyre janë të mbuluara me mbeturina  dhe materiale inerte, apo janë duke u shfrytëzuar për qëllime që nuk lidhen me aviacionin civil.

Megjithatë, sipas vlerësimit të ekipit të inspektorëve të AAC-së, 5 nga 12 fushat ajrore janë në gjendje  më të mirë fizike dhe infrastrukturore. Këto fusha mund të rifunksionalizohen për destinimin primar të  tyre, që është aviacioni i përgjithshëm, me një investim dhe  mirëmbajtje  minimale, përderisa  për  të  tjerat duhen investime të konsiderueshme.

Raporti i plotë i AAC-së për gjendjen e fushave ajrore në Republikën e Kosovës mund të gjendet në këtë lidhje Interneti