News Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” pajiset me certifikatën e operimit të aerodromit për aeroplanë më të mëdhenj – kategoria “ICAO Code E”, dhe sistem të aterrimit preciz kategoria “ILS Cat. III b” në pistën 17


31/12/2021

Në këtë fundvit gjatë procesit të finalizimit të projektit të zgjatjes së pistës nga 2.500 në 3.040 metra bashkë me infrastrukturën përcjellëse, operatori i aerodromit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” u pajis nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës edhe me certifikatën e operimit të aerodromit për aeroplanë të kategorisë më të lartë, dmth nga “ICAO Code 4C” në “ICAO Code 4E”. Ndryshimi i certifikatës përfshinë poashtu edhe plotësimin e kritereve për standardet përkatëse të infrastrukturës në tokë për operim me sistemin preciz të aterrimit “ILS Cat IIIb” në pistën 17 (ana veriore) në korrelacion me pajisjet përkatëse naviguese dhe plotësimin e standardeve që ndërlidhen me navigimin ajror.     

Në projektin e zhvillimit të infrastrukturës së aeroportit, përveç zgjatjes së pistës nga 2.500 në 3.040 metra, janë përfshirë edhe dy rrugë të reja për dalje të shpejtë të avionëve nga pista (“Rapid Exit Taxiway”), instalimi i ndriçimit të ri për navigim dhe atë mbrojtës në pistë me rrugët dhe dritat e reja të afrimit për aeroplanët, pajisje të komunikimit, stacioni për observim meterologjik, d.m.th. edhe   modernizimi i një pjesë të sistemit të kontrollit të ndriçimit dhe të navigimit.

Pas vlerësimit të krejt procesit dhe rekomandimit nga departamenti i aerodromeve, drejtori i përgjithshëm i AAC me 21 dhjetor 2021 lëshoi certifikatën e aerodromit ku operatori autorizohet të operojë në ANP “Adem Jashari” në përputhje me dispozitat e rregullores Nr.17/2017 (Rregullorja BE No. 193/2014), bazën e certifikimit të aerodromit, kushtet e certificatës dhe manualin e aerodromit.