News Kryeministri Kurti dhe Ministri Abdixhiku vizituan AAC-në


18/05/2020

Në AAC sot kanë qëndruar Kryeministri në detyrë z. Albin Kurti dhe Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit z. Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtor. Ata u mirëpritën në ambientet e Autoritetit të Aviacionit Civil nga ushtruesi i detyrës i sapoemëruar i Drejtorit te Përgjithshëm, z. Arianit Islami, Bordi Mbikëqyrës i AAC-së dhe punonjësit e këtij Autoriteti.

Kryeministri Kurti tha se Qeveria është dhe do të jetë më shumë se partner karshi AAC-së dhe se përpjekjet nuk do të mungojnë për të mbështetur AAC-në. Kryeministri Kurti u njoftua se është shfuqizuar Rregullorja e brendshme e AAC-së e korrikut 2019. Duke i vënë theks nevojës për transparencë gjatë vendimmarrjes në institucione publike, Kryeministri Kurti shtoi se çkado që i duhet AAC-së do ta bëjnë me dhe jo anash AAC-së. Ai pohoi se aspekti shkencor e profesional është shumë i rëndësishëm në shtetndërtim ndërsa stafi i shkolluar në aviacion i punësuar në këtë institucion duhet të ruhet dhe të lihet i papenguar nga politika që të ushtroj detyra të rëndësishme në mbikëqyrjen e sigurisë së aviacionit civil dhe aspekteve ekonomike të mbikëqyrjes. Kryeministri shtoi se si Qeveri e Republikës së Kosovës duam ta forcojmë shtetin dhe për këtë arsye Aviacioni Civil është tejet i rëndësishëm për ne.

Ministri në detyrë Abdixhiku u shpreh të jetë i lumtur në mesin e AAC-së dhe i përgëzoi për punën e rëndësishme që kanë. Ministri Abdixhiku poashtu porositi AAC-në se atë dhe Ministrinë që drejton duhet ta shohin si partner për të përfaqësuar interesat e Republikës së Kosovës. Ai tha se kthimi i qytetarëve në Kosovë përmes rrugëve ajrore mbetet sfidë.

Z. Islami falënderoi dhe shprehu kënaqësi për vizitën e Kryeministrit Kurti dhe Ministrit Abdixhiku. Ai theksoi se kjo është vizita e parë që një kryeministër i bën AAC-së që nga themelimi dhe kjo na motivon dhe na obligon që të arsyetojmë besimin e dhënë. Ai e falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Ministrin Abdixhiku për besimin e dhënë që si njëri ndër profesionistët e parë të aviacionit në Kosovë, të drejtojë këtë institucion me rëndësi.

Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të AAC-së, z. Samet Dalipi duke çmuar lartë institucionin dhe punonjësit për profesionalizimin, cilësinë dhe përkushtimin e tyre përmendi edhe disa sfida për tejkalimin e të cilave kërkoi mbështetjen e Qeverisë.

Në përfundim të takimit, z. Islami theksoi përkushtimin e tij dhe të tërë punonjësve të AAC-së që të zbatojnë politikat e Qeverisë në fushën e aviacionit civil.