23/07/2025
Më 22 dhe 23 korrik, në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës profesionale në mes të AAC të Kosovës dhe të AAC të Republikës së Shqipërisë, kolegët nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar, në përbërje me z. Alket Zani, Drejtor i Drejtorisë së Standardeve në Fluturim, znj. Jonida Gjokuta, Përgjegjëse në Sektorin e Licencimit të Personelit në Drejtorinë e Trajnimit dhe të Licencimit dhe znj. Ledia Baçova, Inspektore në Sektorin e Operimeve në Fluturim, zhvilluan një vizitë pune në AAC në Prishtinë.
Gjatë vizitës, u shkëmbyen përvoja dhe njohuri teknike në fushat me interes reciprok, me theks të veçantë në fushën e licencimit të personelit, respektivisht për licencat e mekanikëve dhe për licencat e kontrollorëve të trafikut ajror.
Gjatë takimit, u shpreh vullnet i plotë nga të dy institucionet që bashkëpunimi të shtrihet dhe intensifikohet më tej, në të gjitha fushat për avancim dhe zhvillim profesional të dyanshëm të autoriteteteve respektive.
Ky bashkëpunim, krijon mundësi të veçantë për AAC të Kosovës, sidomos në kontekstin e zhvillimit të hovshëm të aviacionit civil në Republikën e Shqipërisë në vitet e fundit, që u konfirmua edhe gjatë auditimit USOAP të ICAO-s të zhvilluar në AACSh në vitet 2022 dhe 2024, ku në përfundim të këtij aktiviteti përmbushja e kritereve nga AAC i Republikës së Shqipërisë në fushën e aviacionit civil, nga ICAO u vlerësua, në nivelin e përgjithshëm prej 89.9%.
Prandaj, nisur nga ky fakt, u ritheksua gatishmëria e plotë e AACSh që të mbështesë AACK në të gjitha fushat profesionale dhe teknike ku paraqitet nevoja, për shkëmbim përvojash e njohurish në aviacionin civil, qoftë përmes vizitave të ndërsjella e deri tek organizimi i OJT, për fushat e veçanta në fushën e licencimit të personelit të aviacionit.