29/10/2024
Sot u shënua një ditë e rëndësishme në aviacionin civil të Kosovës dhe AACK-në me ç’rast Republika e Kosovës dhe ajo e Mbretërisë së Arabisë Saudite kurorëzuan një proces të nisur në fillim të këtij viti me nënshkrimin e Marrëveshjes për Shërbime Ajrore në mes të dy shteteve.
Marrëveshja u nënshkrua nga z. Liburn Aliu Ministër i MMPHI dhe z. Ali bin Mohammed Rajab, Zëvendës President Ekzekutiv për Transportin Ajror dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar nga Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil në prani të delegacionit të lartë shtetëror të Mbretërisë së Arabisë Saudite të prirë nga Ministri për Haxh dhe Umrah Tawfig Fawazan Alrabiah bashkë me zëvendësministrin dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror Saudit të cilët po qëndrojnë në një vizitë në Kosovë për të forcuar dhe për të shtyer edhe më tutje raportet e shkëlqyera ndërshtetërore me nisma dhe marrëveshje të ndryshme zhvillimore në interes të të dyja vendeve, dhe zyrtarëve dhe delegacionit të Republikës së Kosovës, UD Drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës z. Burim Dinarama si dhe Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Riad z. Lulzim Mjeku.
Kjo marrëveshje u parapri me negociata të delegacioneve teknike ndërshtetërore të mbajtura më 29-30 korrik 2024 në Riad të Arabisë Saudite, me rolin kyq edhe të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, të cilat delegacione harmonizuan tekstin e marrëveshjes për shërbime ajrore në mes të dy vendeve.
Transporti ajror nuk është vetëm një mjet udhëtimi, është një urë që lidh njerëzit, bizneset dhe idetë përtej kufijve. Prandaj, kjo marrëveshje tanimë krijon mundësinë për fillimin e linjave ajrore direkte në mes të dy vendeve duke lehtësuar udhëtimin e qytetarëve, qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve si dhe të nxisë zhvillimin e biznesit në të dyja vendet në mënyrë sa më të efikase.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës shpreh mirënjohjen për delegacionin e Republikës së Kosovës dhe atë të Arabisë Saudite për përkushtimin dhe partneritetin e tyre të shembullt në këto negociata, si dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Riad me Ambasadorin Lulzim Mjeku për përkrahjen e vazhdueshme për të arritur këtë moment.