12/08/2026

Në kuadër të aktiviteteve rregullatore të Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, më 5 gusht 2026 u organizua provimi për testin e njohurive për Sistemet e Mjeteve Ajrore pa Pilot (UAS) – Kategoria 3.

Në këtë proces, Edvin Cacaj nga KEDS iu nënshtrua me sukses testit të njohurive dhe, me këtë rast, iu nda Certifikata e Kategorisë 3 nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës, duke konfirmuar përmbushjen e kërkesave për operime profesionale me sisteme të mjeteve ajrore pa pilot.

Pas certifikimit, operimet do të realizohen me WingtraRAY, platformë profesionale e dedikuar për rilevim ajror dhe hartëzim, në funksion të nevojave të KEDS.

WingtraRAY mundëson mbledhjen e të dhënave nga terreni për krijimin e ortofotove, hartëzimin topografik, modelimin e terrenit dhe përpunimin fotogrametrik, duke mundësuar mbulimin efikas të sipërfaqeve të mëdha dhe përgatitjen e të dhënave të sakta për nevoja inxhinierike dhe teknike.

Operimet e sistemeve të mjeteve ajrore pa pilot (dronëve) rregullohen me Rregulloren (AAC) Nr. 01/2026 për Sistemet e Mjeteve Ajrore pa Pilot, e cila përcakton kushtet dhe standardet për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të dronëve në Republikën e Kosovës.