Lajme Takim trepalësh i AAC-ve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë


23/11/2016

Pamje nga vizita

Pamje nga takimi

Më 22 nëntor, Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së, priti në një takim pune Drejtorin Ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, z. Flamur Çelaj, i sapozgjedhur në këtë detyrë nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Aviacionit Civil të Maqedonisë, z. Goran Jandreoski.

Z. Gjonbalaj uroi z. Çelaj për detyrën e re dhe ritheksoi zotimin e AAC-së për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit të shkëlqyer midis AACK-së dhe AACSH-së. Gjithashtu, falënderoi z. Jandreoski për bashkëpunimin e mirë midis autoriteteve tona, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit, të nënshkruar disa vjet më parë nga drejtorët e përgjithshëm të aviacionit civil të tre shteteve. Z. Gjonbalaj shtoi se, me qëllim të integrimit të plotë të vendeve tona në Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit, kërkohet një bashkëpunim më intensiv rajonal dhe shkëmbim i përvojave dhe stafit të kualifikuar në mbikëqyrjen e sigurisë së aviacionit.

Z. Çelaj  konfirmoi përkushtimin e tij personal dhe të AACSH-së për ta përkrahur Republikën e Kosovës në pjesëmarrje në të gjitha nismat e bashkëpunimit rajonal dhe pan-evropian në fushën e aviacionit civil, me theks të veçantë në nismën e EUROCONTROL-it për nënshkrimin e një marrëveshjeje rajonale me vendet e Ballkanit Perëndimor për koordinimin e aktiviteteve në kërkim-shpëtim. Me marrjen e detyrës së re, z. Çelaj shtoi se është duke punuar në përcaktimin e objektivave strategjike të AACSH-së, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit rajonal, e në veçanti me AACK-në.

Z. Jandreoski u zotua që edhe Republika e Maqedonisë do ta përkrahë Kosovën në integrimet evropiane dhe globale në fushën e aviacionit civil dhe se për këtë qëllim do t’i koordinojë veprimet e nevojshme me AACSH-në dhe partnerët tjerë në Evropë.