Lajme Komunikatë për media: Ndriçimi i aeroplanëve me dritë laserike


23/01/2014

Gjatë vitit të kaluar dhe sivjet është raportuar një numër i konsiderueshëm i rasteve te drejtimit të dritës së laserëve në aeroplanë civilë.

Drejtimi i dritës laserike në një aeroplan civil, gjegjësisht në kabinën e pilotëve, në fazën e përgatitjes për aterrim, gjatë aterrimit, apo gjatë fazës se ngjitjes, kur aeroplani ndodhet në lartësi të ulët, ndër të tjera mund të shkaktojë një verbim momental të pilotëve dhe potencialisht mund ta rrezikojë sigurinë e fluturimit.

Ndërhyrjet e tilla, që konsiderohen si rrezikim i operimeve të aviacionit civil, janë të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe ANP “Adem Jashari” – Kontrolli Ajror kanë zhvilluar një procedurë reagimi, e cila mundëson që patrullat e policisë të jenë brenda pak minutash në vendin e identifikuar të burimit të rrezes laser që i është drejtuar një aeroplani.

Edhe pse për dikë mund të duket si lojë, kjo lojë rrezikon jetë njerëzish dhe autori i veprës mund të përfundojë në burg.

Kurrë mos i ndriçoni aeroplanët me dritë laseri!