Lajme Shërbimet në tokë


29/09/2020

Termi “Shërbimet në tokë” nënkupton një gamë të gjerë shërbimesh të cilat kërkohen prej kompanive ajrore për aeroplanët e tyre përderisa qëndrojnë në platformën e aeroportit në periudhën midis aterrimit dhe nisjes. Këto shërbime janë procesimi i udhëtarëve, i bagazhit, përcjellja e aeroplanit në tokë, ngarkimi/shkarkimi, furnizimi me karburant, mirëmbajtja e aeroplanit etj. Një kompani ajrore mund të zgjedh që vet t’i kryejë këto shërbime (vet-shërbim) ose të kontraktojë një kompani tjetër (furnizuesit e shërbimeve në tokë për palë të treta) e cila mund të jetë qoftë një kompani tjetër ajrore, operatori i aeroportit ose një kompani e specializuar për të dhënë shërbime në tokë në aeroporte.
Deri në vitin 1997, shërbimet në tokë nëpër aeroportet e BE-së janë ofruar në baza monopoli qoftë nga operatori i aeroportit qoftë nga një kompani ajrore dominuese në atë aeroport që rëndom ka qenë kompania ajrore në pronësi të shtetit. Që nga viti 1997, ofrimi i shërbimeve në tokë në BE është rregulluar përmes Direktivës nr. 96/67/EC mbi qasjen në tregun e shërbimeve në tokë e cila ka liberalizuar tregun e shërbimeve në tokë. Në Republikën e Kosovës, kjo Direktivë është transpozuar në rendin tonë ligjor përmes Rregullores së AAC-së nr. 4/2011 të ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren nr. 5/2019. Në bazë të kësaj Rregulloreje, mundësohet liberalizimi i pjesës më të madhe të shërbimeve në tokë në aeroportet që shërbejnë më shumë se 2 milion udhëtarë në vit gjë që rezulton në ofertë më të gjerë për kompanitë ajrore dhe shpenzime operative më të ulëta për ta. Kjo konkurrencë pastaj reflektohet në ngritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe tarifa më të ulëta për udhëtarët. Për disa kategori të veçanta shërbimesh siç është përpunimi i bagazhit, përpunimi i aeroplanit në platformë, furnizimi me karburant dhe përpunimi i mallrave, autoritetet kombëtare mund të vendosin të kufizojnë numrin e furnizuesve. Sidoqoftë, ky numër nuk mund të jetë më i vogël se dy dhe njëri prej furnizuesve duhet të jetë i pavarur nga operatori i aeroportit ose nga kompania ajrore dominuese në atë aeroport.
Hulumtimet e kryera mbi aplikimin e këtyre rregullave në aeroportet e mëdha të BE përgjatë viteve kanë dëshmuar se hapja e tregut ka sjellë çmime më të favorshme për kompanitë ajrore dhe kjo konsiderohet e dobishme vetëm nëse arrihet të sigurohet mbajtja gjatë tërë kohës e nivelit të pranueshëm të sigurisë së operimeve nga ana e të gjithë furnizuesve të shërbimeve në tokë në një aeroport.