Lajme AAC-në e ka vizituar Komisioni Parlamentar për ZHEITI


26/10/2016

Pamje nga takimi
                                                                Pamje nga takimi

Më 25 tetor 2016, Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil, në kuadër të aktiviteteve të veta të mbikëqyrjes së agjencive të pavarura që i raportojnë Kuvendit.

Komisioni u prit në takim nga Bordi Mbikëqyrës i AAC-së, i kryesuar nga z. Samet Dalipi, dhe menaxhmenti i AAC-së, i kryesuar nga Drejtori i përgjithshëm z. Dritan Gjonbalaj.

Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës dhe Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së e informuan Komisionin për aktivitetet e AAC-së gjatë këtij viti, të arriturat në aspektin e zbatimit të legjislacionit të BE-së, por edhe për sfidat me të cilat ballafaqohet AAC-ja. Gjithashtu, AAC-ja i ofroi Komisionit një pasqyrë të hollësishme të veprimeve të ndërmarra me qëllim të zbatimit të rekomandimeve të Komisionit për Raportin vjetor të AAC-së për vitin 2015.

Kryetari i Komisionit, z. Muhamet Mustafa, përgëzoi AAC-në për punën e deritanishme dhe konfirmoi zotimin e Komisionit për të ofruar përkrahje edhe në realizimin e disa prej synimeve strategjike, siç është anëtarësimi në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe përafrimi i ligjeve përkatëse me kuadrin ligjor të BE-së.

Deputetja Sala Berisha-Shala përgëzoi AAC-në për punën e mirë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Komisionit për mbështetje të vazhdueshme, përderisa AAC-ja vazhdon të punojë në përputhje me ligjet në fuqi. Ajo shtoi se e çmon qasjen e AAC-së për t’i plotësuar të gjitha kriteret teknike me qëllim të lehtësimit të rrugës së vendit tonë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe evropiane të aviacionit civil.

Deputeti Rrustem Berisha u interesua rreth përgatitjeve që po bëhen nga autoritetet shtetërore për ngritjen e plotë të kapaciteteve në mënyrë që në vitin 2019 të merret përgjegjësia e plotë për ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror edhe në hapësirën e lartë ajrore për mbikalime. Ky shërbim, deri në vitin 2019, do të ofrohet nga HungaroControl, në përputhje me vendimin e Këshillit të NATO-s. AAC-ja e informoi Komisionin se Qeveria, ASHNA dhe AAC-ja janë duke i bërë të gjitha përgatitjet e duhura që në aspektin teknik të jemi të gatshëm për marrjen e plotë të kësaj përgjegjësie. Gjithashtu, u dha një raport i shkurtër rreth procesit për normalizimin e plotë të hapësirës së ulët ajrore të Kosovës, që do t’i shkurtojë fluturimet në Prishtinë për rreth 20 minuta.

Bordi dhe menaxhmeti i AAC-së bashkëbiseduan me Komisionin edhe për çështje tjera me rëndësi në fushëveprimin e AAC-së.